Liria e medias, Çipa: Kryeministri, pjesë e atyre që e intimidojnë

Shqipëria duket se ka bërë hapa mbrapa në lirinë e medias. Reporterët pa kufij, e rendisin vendin tonë në vendin e 82-të, duke zbritur kështu me 7 vende në indeksin botëror të lirisë se medias për vitin 2018. Media sulmohet vazhdimisht nga qeveria dhe krimi i organizuar thotë raporti. Cilët janë armiqtë e medias ne Shqipëri?

“Ka pasur disa arsye, ku personazhe kanë qenë vetë gazetarët. Kërcënimet e ardhura nga elementët kriminalë, intimidime dhe shantazhe publike të ardhur nga goja e politikanëve, ku përfshihet edhe Kryeministri, i cili përdor terma të tjerë që intimidojnë. Arsyeja e tretë është informaliteti që dominon skenën mediatike të vendit dhe institucionalizimi i marrëdhënieve të punës”, tha Aleksandër Çipa, i ftuar në A2 Debat. “Është një situatë dhe një klimë e papranueshme, që po jep edhe një efekt të tërthortë, si politizimi i medias”.

Ndërsa gazetari investigativ Artan Hoxha, renditi një sërë faktorësh që e rëndojnë situatën. “Pjesa dërrmuese e gazetarëve që merren me kronikë, janë të vetëdijshëm për detyrën e vështirë që bëjnë. Jo të gjithë janë të gatshëm të përballojnë sfidat. Dalja e reporterëve të kronikës dhe kriminalitetit në emisionet televizive i ka ekspozuar ata. Disa vite më parë kriminelët nuk e kishin problem t’u përmendej emri, ndërsa sot e dinë që në momentin që emri i tyre fillon të lakohet në media, kjo përbën problem, dhe bëjnë gjithçka që ta ndalojnë këtë”, tha Hoxha.

“Të gjithë politikanët janë pjesë e të tërës. Rama ka të vetën, Meta ka të vetën, Berisha ka të vetën. Secili ku ka qenë në qendër të vëmendje së medias e ka sulmuar me të gjithë mjetet, spese e ka parë si diçka jashtë kontrollit të tij. Të tre forcat politike kryesore kanë departamente që merren ekskluzivisht në media. Godasin direkt atë që jep informacionin, nuk merret me atë që thotë informacioni. E sulmojnë reporterin që të vetë censurohet”, shtoi ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2