Pëllumbi: Reforma Zgjedhore, mundësi për PD për të treguar vullnetin e mirë

Arben Pëllumbi, deputet i Partisë Socialiste, ishte i ftuar në A2 për të diskutuar mbi reformën zgjedhore.

Sipas tij, reforma e “ngecur” në nëntor duhet të votohet tashmë, si një mesazh i fortë ndaj një kriteri i rëndësishëm për anëtarësimin në BE.

Por natyrisht, procesi duhet të bëhet në mënyrë konsensuale, dhe për momentin, sipas deputetit,  “vendimet merren në institucione, prandaj është opozita në Parlament me të cilën kemi të bëjmë”.

Por sipas Pëllumbit Partia Demokratike jashtë Parlamentit ka “një mundësi shumë të mirë për të treguar vullnetin e saj”, dhe për të zbutur disi krizën politike në vend.

“Kemi gjetur një formulë për t’i lënë një nga vendet tona Partisë Demokratike, sigurisht nuk do të ketë të drejtën e votës, duke patur statusin e vëzhguesit, por kanë të drejtën e vetos po mos të jene dakord”, shton ai.  

Sipas Pëllumbit, oferta e PS-së vjen si rrjedhojë e natyrshme e qasjes së tyre “gjithmonë  e hapur për ndryshimet e PD”, me të vetmen kërkesë që përfshinte të drejtën e votës për emigrantët, dhe që kishte sjellë si rezultat faktin që drafti për reformën “ishte për 90% rezultat i punës se përbashkët”, deri kur vendimi i opozitës pezulloi gjithçka.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN