1 mijë banorë jetojnë mes “pellgut të zi” në Valias

Afro 30 vite më parë, Valiasi ishte krenaria e qëndresës antikomuniste, kur minatorët hynë në grevë, ndërsa sot 300 familje ndodhen në mëshirën e fatit.

Mbi 1000 persona që jetojnë aty duket se janë braktisur nga pushteti qendror dhe ai lokal, por se problemi kryesor mbetet mungesa e një sistemi kanalizimesh për ujërat e zeza.

Mes dëshpërimit pafund, banorët kontaktuan A2CNN, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohej.

“Kanalizimet me ujërat e zeza janë bashkuar dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë me këtë ujë, as që bëhet fjalë për ta pirë. Valiasi ka qenë i rregulluar, por ka ardhur drejt shkarkimit”, thotë një banor.

“I bëjmë thirrje kryetarit të bashkisë së Kamzës të shohë me shumë kujdes kanalizimet”, shprehet një tjetër banor.

Mjaftojnë pak reshje shiu që lagja të përmbytet, duke u formuar një pellg gjigant me ujëra të zeza dhe të bardha bashkë dhe era e keqe mbizotëron gjatë.

Farmacistja e zonës na tregon jashtë kamerave se fëmijët paraqiten me infeksione bakteriale dhe parazitare, ndërsa banorët rrëfejnë se të paktën 10 të mitur janë preku nga sëmundjet tumoriale.