E drejta e pronës, Hahn: Vijon t’i hapë dyert korrupsionit, BE po e monitoron

Situata me pronat në vendin tonë është komentuar së fundmi edhe nga Komisioneri i BE, Johannes Hahn, në një intervistë ekskluzive për DW.

Hahn është shprehur se kuadri ligjor për të drejtat e pronës në Shqipëri ka dobësi ligjore dhe teknike. Ai shprehet se BE po i monitoron atë.

“Copëzimi, fragmentarizimi ligjor, zbrazëtitë në sistemin e regjistrimit dhe zbatimin e ligjit në këtë fushë mbeten të adresohen në të gjithë vendin. Komisioni Europian është i vetëdijshëm për shqetësimet ndaj vendimeve të fundit, të miratuara nga Qeveria shqiptare, lidhur me menaxhimin e tokës përgjatë zonës jugore bregdetare dhe vazhdon të angazhohet me autoritetet kompetente në këtë drejtim. Duke pasur parasysh rëndësinë e temës në vend, është vendimtare që çdo masë e mëtejshme të jetë pjesë e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të përshtatet në një plan të strukturuar reformash.

Të drejtat e pronësisë po monitorohen nga BE si pjesë e kuadrit të të drejtave themelore të njeriut. Komisioni Europian po shqyrton mundësitë ta mbështesë Shqipërinë në trajtimin e situatës problematike lidhur me të drejtën e pronës, në linjë me standardet ndërkombëtare.

Le të ndalem pak më hollësisht: në Shqipëri situata e pazgjidhur ligjore për pronësinë vijon t’i hapë dyert korrupsionit dhe zotërimit të pasurisë së vendit nga i njëjti grup njerëzish. BE ka dhënë fonde që në Shqipëri të respektohet e drejta e pronës dhe të luftohet korrupsioni në fushën e pronësisë së tokës. Por p.sh. EURALIUS, i financuar nga BE, hartoi verën e kaluar një Draft Raport, ” Mbrojtja e Pronës në Shqipëri”, që edhe sot e kësaj dite, nuk është kthyer në një Raport dhe nuk ka parë dritën e botimit”, tha Hahn për DW.