I vunë flakën pyllit duke gatuar në skarë, gjobiten me 13,5 milionë euro

Dy studentë të fajësuar për zjarrin që pushtoi një pyll në rajonin e Komos në Itali janë gjobitur secili me nga 13,5 milionë euro. Dy djemtë, 22-vjeçarë të dy, po konsumonin ushqime në skarë në një pyll malor, në shtëpinë e gjyshit të njërit prej tyre, 30 dhjetorin e vitit të kaluar, kur nisi edhe zjarri.

Gjoba kaq e lartë u llogarit nga zyrtarët lokalë bazuar në një formulë që përdoret për të vlerësuar dëmin e shkaktuar prej zjarrit. Njëri prej tyre tha në mediat italiane se ndihej shumë keq për atë që kishte ndodhur, por shtoi se ata po bëheshin “koka turku” pasi atë ditë pati shumë vatra zjarri. “Ne jemi viktimat e vërteta në këtë histori”, tha ai.

Por prokurorët ndoqën gjurmët e flakëve duke mbërritur pikërisht në pronën ku po qëndronin dy studentët. Bashkë me ta është konsideruar përgjegjës edhe gjyshi, pronar i shtëpisë.

Zjarri i 30 dhjetorit zgjati për disa ditë, duke shkatërruar rreth 1000 hektarë pyje në malin Berlinghera, ndërsa sipas “La Stampa”-s, zbuloi se gjobat për zjarrvënie në atë zonë variojnë nga 118 deri në 593 euro për metër katror, çka do të thotë se edhe shuma totale që ata do të detyroheshin të paguanin mund të arrinte deri në 40 milionë euro.

Avokati i studentëve tha se gjoba ishte e pakuptimtë, pasi dihej që asnjëri prej tyre nuk e paguante dot, por prokurori i çështjes tha për mediat vendase se ky ishte një sinjal që i duhej dhënë njerëzve për t’u treguar më të përgjegjshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN