Nga ndikimi rus te baza e NATO-s në Kuçovë, Xhaçka në Pentagon

Për të dytën herë brenda një viti, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka viziton Pentagonin në vizitë zyrtare.

Gjatë kësaj vizite, Xhaçka u prit nga sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë Patrik Shanahan. Të dy zyrtarët u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin dy palësh në fushën ushtarake.

Xhaçka vlerësoi mbështetjen dhe suportin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për Forcat e Armatosura Shqiptare. Nga ana tjetër, edhe sekretari i Mbrojtjes, vlerësoi kontributin e ushtrisë shqiptare në misionet ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, duke e cilësuar Shqipërinë si një partnere të fortë.

Në këtë kuadër, sekretari Shanahan, preku edhe rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke deklaruar se përballë këtij rreziku, partneriteti mes SHBA dhe Shqipërisë është më i fortë. Gjatë takimit u theksua edhe fakti që brenda këtij viti pritet të nisin punimet për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Ndërkohë, gjatë kësaj vizite është parashikuar edhe marrëveshja me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, veçanërisht të Forcës Ajrore, përmes marrjes së disa helikopterëve “Black Hawk”.

Kjo marrëveshje, parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN