Raporti: Rritet barra fiskale, po paguajnë më shumë taksa

Shqiptarët kanë paguar më shumë taksa dhe tatime. Raporti i fundit i qendrës kërkimore ALTAX evidenton se të ardhurat në buxhet kundrejt prodhimit të përgjithshëm kombëtar kanë arritur në fund të 2017-ës në 25.7% nga 24.1% që ishin në 2014-ën. Më shumë sesa performanca e mirë e agjentëve fiskale, kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së taksave.

Sipas raportit, më shumë para në buxhet janë gjeneruar nga vendosja e tatimit progresiv, rritja e taksave vendore pas reformës administrative-territoriale, si dhe zgjerimi i bazës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Ekspertët evidentojnë nevojën që ka buxheti për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të ulur varësinë e të ardhurave tatimore nga importi, që zë 2/3 e TVSH-së së mbledhur.

Studimi vlerëson se skema e taksimit progresiv, tashmë 5 vite pas zbatimit, nuk ka arritur të rrisë të ardhurat në mënyrë të konsiderueshme. Po ashtu edhe taksa e re mbi pasurinë duhet të nisë zbatimin, për të rritur të ardhurat që mbledhin bashkitë.

Për vitin 2019 barra fiskale synohet të rritet me vetëm 0.1%, duke arritur nivelet e 25.5% të PBB. Ky nivel i ulët, sipas Altax, mund të pengojë rritjen, ndërsa mangësitë në kapacitetet fiskale shërbejnë si shkak kryesor i një qeverisje të dobët.

Mbledhja e taksave, të parafundit në rajon

Aktualisht ne renditemi të parafundit në mbledhjen e të ardhurave, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, që aktualisht mbledh taksa sa 25.5% e PBB.

Më mirë se sa Shqipëria në këtë drejtim performon edhe Kosova me një barrë tatimore prej 26.2%.
Këto tre vende janë edhe ato që kanë barrën më të ulët në rajon, me një normë ndjeshëm nën vendet e tjera. Në Serbi, të ardhurat që mblidhen nga taksat arrijnë në 36.1%, në Bosnje dhe Hercegovinë në 37.9%, ndërsa në Kroaci arrijnë deri në 38.6% të PBB.

Përgjatë katër viteve të fundit, barra fiskale është rritur në të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Malit të Zi, që ka ndjekur politika lehtësuese, duke i ulur të ardhurat nga tatimet në 36.5%, nga mbi 39% në 2014-ën.