Zemra “vret” shqiptarët, ndikon stili i keq i jetës

Gjysma e vdekjeve në vendin tonë ndodhin për shkak të zemrës. Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë me rreth 400 mijë persona të sëmure.

Gjatë publikimit të raportit kombëtar për sëmundshmërinë në popullsinë shqiptare, shefi i kardiologjisë, Artan Goda, tregoi se përkeqësimi i stilit të jetës ka rritur numrin e pacientëve që vuajnë nga zemra si dhe të infarkteve.

Nga të dhënat e raportit, hipertensioni cilësohet vrasësi më i madh i shoqërive moderne. 1 në 2 persona mbi 50 vjeç vuan nga kjo sëmundje. Ndërsa vitet e fundit është vënë re se 25% e të rinjve kanë hipertension.

Raporti kombëtar i sëmundshmërisë është bazuar në të dhënat e kontrollit bazë shëndetësor. Ministria theksoi rëndësinë e këtij procesi pavarësisht akuzave të opozitës për “check up”-in.

Sipas raportit kombëtar, sëmundjet e zemrës ndeshen në popullsinë tonë tri herë më shumë se ato endokrine, që janë në vend të dytë, dhe 8 herë më shumë se sëmundjet e mushkërive, që zënë vendin e tretë. Korça, Fieri dhe Berati kanë numrin më të madh të infarkteve dhe pacientëve me zemër, ndërsa Kukësi dhe Dibra më të ulëtin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN