Delegime në 75 procese, KLGJ urdhëron “shëtitjen” e 106 gjyqtarëve

Gati një e treta e gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit në janë të detyruar të zhvillojnë gjykime jashtë vendit të tyre të punës. Ata janë deleguar në gjykata të tjera, për t’i ardhur në ndihmë proceseve gjyqësore të futura në ngërç për shkak të mungesës së gjyqtarëve, apo për shkak të konsumimit të tyre.

Vendimi i delegimit për 106 gjyqtarë në total, shifër jo e zakontë, është marrë në mbledhjen e së premtes në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas Këshillit, këta gjyqtarë do të angazhohen në gjykimin e 75 çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të ndryshme nga ajo e origjinës.

Burime pranë KLGJ bënë me dije se kryesisht këto gjykime i përkasin gjykatave të rretheve, që kanë në përbërjen e tyre numër të vogël gjyqtarësh.

“Këto vendime, u morën në kushtet e pamundësisë së Gjykatave ku janë regjistruar çështjet për t’i shqyrtuar në afat ato, për shkak të heqjes dorë së gjyqtarëve apo konfliktit të interesit”, njoftoi zyrtarisht Këshilli i Lartë gjyqësor.

Përveç heqjes dorë për shkak të papajtueshmërive ligjore, rritja e shifrës së gjyqtarëve të nevojshëm për t’u deleguar në gjykata të tjera ka lidhje edhe me shkarkimet e dhjetëra gjyqtarëve nga procesi i vettingut dhe vendet bosh të lëna prej tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2