Testohet siguria, “valixhe e dyshimtë” në portin e Durrësit

Një valixhe e dyshimtë ka alarmuar autoritetet e portit më të madh në vend, atë të Durrësit. Ky ka qenë skenari për të testuar reagimin e strukturave që janë të ngarkuara me sigurinë e portit, dhe që është zhvilluar paraditen e kësaj të shtune në terminalin e përpunimit të pasagjereve.

Këto sirena që alarmuan disa nga pasagjerët në portin e Durrësit, ishin një testim sigurie mbi kapacitetet dhe reagimin e strukturave të këtij porti, për situata emergjente. Lënia e një valixheje të dyshimtë në terminalin e pasagjerëve dhe reagimi i strukturave përgjegjëse, ne evakuimin e pasagjereve, krijimin e perimetrit të sigurisë, verifikimin e valixhes, neutralizimin e saj dhe gjetjen e personit që e kishte lënë, ishte skenari i këtij testimi, i cili kaloi me sukses.

Testi u ndoq nga afër edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku. Teste të ngjashme parashikohen që të bëhen edhe në pika të tjera kufitare që gjatë sezonit veror do të përpunojnë një numër të lartë pasagjerësh.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN