Emigranti nga Siria tregon tmerret e luftës, erdhi me 3 shokë në Tiranë

Muhamed Sharta, një 19-vjeçar nga Siria, i sapo mbërritur në tokën shqiptare, rrëfen krimet mizore që ndodhin në qytetin e tij Idlib, aty ku edhe ditët e fundit ka patur luftime të ashpra.

Të premten, ai dhe 3 miqtë e tij, vëllezërit palestinezë Abdulahim dhe Bekir Sabah, si dhe siriani Muhamed Arad, mbërritën në qendrën e azil-kërkuesve në Babrru, por morën përgjigje refuzuese.

Gjatë rrugën për në Laprakë, Muhamedi nis rrëfimin e tij. “Jetojmë mes armikut. Në mes të zjarrit. Kudo ka njerëz të vrarë nëpër rrugë. Kam parë me sytë e mi një avion që lëshoi disa bomba në qytet. Kur u afrova te shtëpitë, kam parë shumë të vdekur. Atje nuk kam pasur mundësi të studiojë pasi armiku është ngado”.

Për të mbërritur deri në kufirin shqiptar, atyre u desh të paguanin 1400 euro. “Në Siri kam nënën, katër vëllezër dhe dy motra, ndërsa babai është në Greqi. Unë kam qëndruar për 7 muaj në Kretë të Greqisë ku punoja. Kam një xhaxha në Maltë dhe dua të shkoj te ai. Disa persona më thanë se mund të më sillnin në Shqipëri dhe paguam nga 350 euro secili. Kemi ecur për 3 ditë me radhë nëpër male dhe jemi shumë të lodhur. Policia shqiptare na ndaloi në kufi ku na morën shenjat e gishtërinjve. Pas 5 orësh na lanë të lirë. Më pas, mbërritën këtu në Tiranë”, tregon emigranti.

Në qendrën e duhur, zyrtarët e policisë i mirëpresin të huajt. Kushtet e favorshme atmosferike e kanë rritur ndjeshëm numrin e emigrantëve që e përdorin Shqipërinë si vend tranziti drejt Europës dhe shumë rrallë ata kërkojnë azil në Shqipëri.

Nga janari deri në fund të prillit të këtij viti, në kufi me Greqinë, janë ndaluar afro 400 të tillë.

Shkarkoni aplikacionin e A2