”Kafja e hidhur” e avokates së të drejtave të njeriut

Ajo është një avokate e të drejtave të njeriut në Angli, një siciliane, që një gjysh e ka shqiptar, ndërsa tjetrin hebre. Një italiane që jeton në Angli, një grua që lufton për pabarazinë, për drejtësi e që është gjithnjë në këmbë sa herë flet në publik.

 Simonetta Agnello Hornby ka mbërritur këtë javë edhe në Tiranë për të prezantuar librin e saj ‘Kafe e hidhur’.

 “Romani i parë më ka mbërritur në mendje ndërsa isha në aeroport. Do udhëtoja, por nuk kisha asnjë libër për të lexuar, aty mu shfaq i gjithë teksti i një romani“, thotë shkrimtarja.

Kështu nisi rrugëtimi i saj drejt letërsisë. “Kafe e hidhur” nuk është libri i saj i vetëm, por i pari i përkthyer në shqip nga botimet Dudaj.

 “Mund të zbuloj diçka mbi titullin. Mamaja ime më fliste shumë për gjyshen, nënën e saj, të cilën unë nuk e kam njohur. Ajo pinte gjithë një kafe të hidhur. Sipas traditave tona, nuk e di si është në Shqipëri, por në Sicili, kafenë fëmijëve ia mësojnë prindërit, ia bëjnë prindërit. E duke qenë se gjyshja ime e pinte kafe të hidhur, kështu e pinte edhe nëna ime, kështu nisa ta pijë edhe unë. Edhe një nga fëmijët e mi, kështu që këtë traditë të familjes, desha ta ktheja në roman, bashkë me imazhin e gjyshes time, të cilën nuk e kisha njohur por për të cilin më flisnin shumë. Kështu nisa të imagjinoj si ishte të jetoje si Maria, gjyshja ime. Megjithatë, ky është një roman fiction, me një personazh të vërtetë, me disa të vërteta historike, për të rrëfyer mentalitetin e një Sicilie ku unë jam rritur, e që ngjason me realitete në Shqipëri. Më kanë thënë se kam një damar shqiptar, e ndoshta në këtë libër mund të gjeni edhe ndonjë copëz tradite e kulture të ngjashme”, vijon Hornby.

“Kafe e hidhur” është promovuar në qendrën për dialog në Kryeministri, ku pjesë e takimit u bënë edhe studentë e nxënës të degës së italishtes në Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2