“Kufiri i Ballkanit”, filmi që tensionon marrëdhëniet Kosovë-Serbi

“The Balkan Line”, apo kufiri i Ballkanit, një produksion filmik ruso-serb që pritej të prezantohej edhe në kinemanë e Bujanovcit, është anuluar. Por, nuk është bërë shkak origjina e filmit, për të mbyllur dyert e shtëpisë së kulturës, por ajo çka propagandon filmi.

Në këtë produksion rrëfehet se çfarë kanë bërë trupat ruse në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. E mendohet se në të ka jo pak propagandë që do të shtonte tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, edhe me anulimin e shfaqjes së filmit tonet janë acaruar. Pasi producenti i këtij filmi kishte treguar se ka anuluar shfaqjen e tij në Bujanovc, ka reaguar menjëherë ministri serb i Kulturës, Vladan Bukosavljevic.

Ai ka thënë se ky akt tregon se politika po ndikon edhe në kulturë duke censuruar dhe maniupulime të tilla politike s’janë të mira. Pas kësaj, ka reaguar edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Buajnovc, Jetmir Ismaili, që kishte vendosur që në institucionin që udhëheq të mos shfaqet filmi për luftën në Kosovë.

Sipas tij, edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si propagandistik. “Arsyeja e vetme e ndalimit të shfaqjes së filmit është që të mos ketë urrejtje midis shqiptarëve dhe serbëve. Urrejtja është e pranishme, por nuk duam që ajo të ringjallet më shumë. Në bazë të kritikave që kemi lexuar, në atë film nuk ka të vërteta. Keqpërdoret edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje edhe mediat ndërkombëtare e kanë cekur që është një film që nxit urrejtje”, kishte thënë Ismaili.

“The Balkan linë” pritej që të shfaqej këtë të diel në Bujanovc, por dyert janë mbyllur, për këtë film.