Atalanta fiton në Napoli dhe tremb Milanin e Romën

“Lufta” për një vend në Champions League është ndezur si kurrë më parë në Serie A me të paktën 5 skuadra për një biletë të vetme.

Milani ka gabuar shumë gjatë ndeshjeve të fundit, por fati duket se ka qenë me ata deri mbrëmjen e së hënës, pasi edhe kundërshtarët e kuqezinjve nuk kanë pasur një ecuri të mirë në takimet e fundit.

Megjithatë, shumë nuk do ta kishin besuar në fillimin e ndeshjes, por Atalanta ka treguar se jo më kot është në këto pozita këtë sezon, duke fituar 1-2 në Napoli.

Edhe pse vendasit, me Hysajn në formacion në këtë ndeshje, kaluan të parët në avantazh, Atalanta besoi dhe ia arriti qëllimit të përmbysë rezultatin. Fillimisht Zapata e më pas Pasalic, ish-lojtar i Milanit, e vulosën rezultatin në 1-2.

Me këtë fitore, Atalanta barazon Milanin në vendin e katërt me 56 pikë. Me një pikë më pak renditet Roma, ndërsa nuk janë larg as Torino e Lazio.

Nëse Italia e mësoi kampionin për këtë sezon, bileta e fundit e Champions do të mbajë gjallë kampionatit ndoshta deri në ndeshjen e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2