Bindja Demokratike regjistrohet sot, Patozi: S’kemi asgjë për të fshehur

Partia e re Bindja Demokratike mësohet se do të regjistrohet të martën në Gjykatë dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pas distancimit të Rudina Hajdarit, Astrit Patozi mësohet se ka zhvilluar disa takime ditën e sotme me deputetë të dalë nga Partia Demokratike. Së bashku me Patozin, themelues të kësaj partie janë edhe Fabjan Topallaj, Leonard Olli e të tjerë.

Pas daljes nga takimi në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, Astrit Patozi është shprehur se nuk ka gjë për të fshehur, ndërsa shtoi se gjithçka do të mësohet të martën.

“Ju falënderoj për vëmendjen kaq të madhe. Ju kërkoj ndjesë që nuk ua shuaj dot kërshërinë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe asgjë për të treguar sot. Nesër do të kemi një komunikim për të gjithë”, tha shkurt Patozi.

Mes këtyre zhvillimeve, mësohet se po të martën Partia Demokratike nis firmosjen e marrëveshjeve për krijimin e koalicionit opozitar.

Me koalicionin e PD bashkohen partitë kryesore të opozitës, që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme pa Edi Ramën kryeministër.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN