Industrialistët kundër ndryshimeve të Kodit Rrugor

Konfindustria do t’i kërkojë deputetëve në parlament që të mos miratojnë në seancë plenare projektligjin për disa ndryshime në Kodin Rrugor. E njëjta kërkesë do t’i bëhet edhe Presidentin të Republikës për të mos dekretuar ligjin, në rast të miratimit nga Kuvendi.

Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme dhe antikushtetuese, që qytetarët dhe bizneset, të penalizohen në mënyrë automatike deri në 50 mijë lekë gjobë, kur kalojnë 15 ditë pa paguar siguracionin vjetor të detyrueshëm të automjetit, edhe pse mund të jenë në kushtet e mospërdorimit të mjeteve në pronësi.

Sipas industrialistëve, këto ndryshime cenojnë interesin publik, duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë kostot e biznesit dhe jetesës së qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu, Konfindustria deklaron se ndryshimet në Kodin Rrugor nuk janë diskutuar me grupet e interesit, duke shfrytëzuar gjendjen e trazuar politike. Sipas industrialistëve, gjendja bëhet edhe më e rëndë në kushtet kur Gjykata Kushtetuese prej kohësh është praktikisht jofunksionale.