Kush është Volodymyr Zelenskiy? Presidenti që zbaton në realitet skenarin e një seriali

Volodymyr Zelenskiy ka qenë dhe më përpara president i Ukrainës, të paktën në një serial televiziv. Tek “sit-com” “Shërbëtori i popullit”, që gjendet edhe në platformën Netflix, aktori komik interpretoi për 3 sezone një profesor të ndrojtur historie, i cili u zgjodh në mënyrë aksidentale president, pasi sharjet e tij ndaj korrupsionit të qeverisë filmohen dhe shndërrohen virale në rrjetet sociale.

Ky është një skenar që Zelenskiy duket se e zbatoi edhe në realitet. Madje partia e tij, e krijuar pas shpalljes së kandidaturës në dhjetor, mban të njëjtin emër me serialin televiziv.

Fytyrë e re për politikën, Zelenskiy zhvilloi një fushatë elektorale atipike: ai nuk mbajti asnjë tubim, por vetëm spektakle bashkë me studion teatrale “Kvartal 95”, dhe video live në rrjete sociale.

Volodymyr Zelenskiy

Ai nuk prezantoi asnjë program politik konkret, por u fokusua më shumë tek diferencimi i vetes nga kandidatët e tjerë. Pas shumë ftesave të vazhdueshme të Petro Poroshenkos, presidentit në largim, pranoi të merrte pjesë në një debat dy ditë përpara zgjedhjeve.

Kundërshtarët e akuzojnë se nuk ka eksperiencë për të drejtuar vendin dhe as një program konkret. Zelenskiy akuzohet edhe për lidhje të ngushta me oligarkun në mërgim, Ihor Kolomojskij, pronarin e televizionit 1+1 ku transmetohet seriali i tij.

Në bindjet e tij politike, presidenti i zgjedhur dëshiron që Ukraina të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por kërkon që për këtë të vendosë populli me anë të referendumit. Zelenskiy ka lindur në vitin 1978 me prindër hebrenj dhe ka studiuar për drejtësi.

Shkarkoni aplikacionin e A2