Një vit vetting, çfarë ndodhi në sistemin e drejtësisë

Nga 21 marsi i vitit 2018, kur nisi pastrimi i drejtësisë, ethet e seancave dëgjimore të vettingut i kanë provuar 106 gjyqtarë e prokurorë.

Për 54 prej tyre, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha një karton jeshil, duke i konfirmuar në detyrë. 52 të tjerë u shkarkuan, si të papërshtatshëm për sistemin e drejtësisë.

Ata ngelën në filtrat e procesit pastrues, më së shumti për pasuritë e pajustifikuara. Nga ana tjetër, procesi i vettingut është ndërprerë për prokurorët dhe gjyqtarët që janë hequr dorë nga posti, si ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla, apo ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, ndërsa është pushuar për ata që dhanë dorëheqje para nisjes së tij.

Në 15 raste të tjera, procesi ka përfunduar pa vendim, ku përveç kandidates për Inspektore të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari, të tjerët janë subjekte që kanë kaluar moshën e pensionit. 13 muajt e fundit kanë qenë intensive edhe për Shkallën e Dytë të vettingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimi. Sipas të dhënave, në këtë institucion janë regjistruar ankime kundër 59 vendimeve të dhëna nga KPK.

39 prej ankimeve janë bërë nga vetë gjyqtarët apo prokurorët e rivlerësuar. Pjesa tjetër janë firmosur nga ana e Komisionerit Publikë, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vettingut. Deri më tani, Kolegji Apelimit ka rrëzuar vendimet që konfirmuan në detyrë në Shkallën e Parë për ish-kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja, ish-anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari dhe ish-gjyqtarit të Tiranës, Astrit Faqolli.

Në 13 muaj jetë vettingut nxori jashtë funksioni Gjykatën Kushtetuese, si edhe bllokoi Gjykatën e Lartë. Nëse raporti mes të shkarkuarve dhe të konfirmuarve do të vijojë me të njëjtin ritëm, rreziku i futjes në ngërç të gjykatave të Apelit nuk duket i largët.

Shkarkoni aplikacionin e A2