Ekspertët, kritika për ecurinë e reformës në drejtësi

Kur Shqipëria pret hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në qershor dhe mazhoranca shpreson të fitojë pikë nga reforma në drejtësi, ekspertë dhe pedagogë të drejtësisë kritikojnë ecurinë e procesit.

Artan Hoxha, dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe një nga ekspertët e lartë kur po hartohej reforma, gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe Këshillin Kombëtar të integrimit europian, kritikoi ritmin e reformës.

Sipas tij, vettingu po merr gjithë vëmendjen, ndërsa gjykatat po hyjnë në kolaps. Artan Hoxha propozoi riorganizimin e gjykatave në shkallë vendi, ndërsa Ministria e Drejtësisë theksoi se reforma ka filluar.

Pas shqetësimit të pedagogëve të drejtësisë për ndërhyrjet e shpeshta në kodin penal dhe nevojën hartimit të një dokumenti të ri, ministrja Gjonaj deklaroi se kodi po rishikohet për t’iu përshtatur reformës në drejtësi.

Por çfarë dinë studentët e juridikut për reformën në drejtësi?

“Të sjellim shumë të mira për zhvillimin e mëtejshëm… dhe për sigurimin tim, drejt një sistemi më të mirë të arsimit”, shprehet një prej studentëve.

A jeni të njohur me reformën në drejtësi? Me Vettingun?

“Se di! Nuk merrem me lajme fare. Drejtësi… drejtësi, e kuptojmë të gjithë me çfarë ka të bëjë… me drejtësinë e sotme”, shprehet një tjetër.

Ndërkohë, në qershor Shqipëria pret vendimin e Këshillit Europian nëse do t’i hapen ose jo negociatat.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN