Me sytë nga Kupa, Kukësi sfidon Skënderbeun

Një finale e parakohshme. Dy skuadra që luftojnë për objektivin e vetëm sezonal. Shumë larg garës për titullin, Kukësi dhe Skënderbeu do të sfidohen në gjysmëfinalet e Kupës, me trajnerin Gjoka që kërkon përqendrim maksimal të forcave drejt këtij trofeu.

“Kupa është shumë e rëndësishme për objektivat e klubit. Vendi i parë në kampionat është larg, ndaj kupa merr rëndësi të dyfishtë. Presidenti Gjici nuk pret gjë tjetër, përveçse të kualifikohemi në finale”, u shpreh Ernest Gjoka, trajneri i Kukësit.

Megjithë momentin e vështirë të korçarëve, te Kukësi e kanë të qartë vështirësinë e ndeshjes, por edhe faktin që nuk lejohen gabime.

“Skënderbeu është Skënderbe dhe prej vitesh, së bashku me Kukësin po shkruajnë historinë e futbollit shqiptar. Sigurisht që i druhem, por bukuria e ndeshjes është që nuk duhet të gabojmë ne”, tha Gjoka.

Për sulmuesin Reginaldo, aktivizimi me Kukësin është mënyra më e mirë për të fituar trofe, pas aventurës 3-vjeçare në Shqipëri.

“Kukësi do të fitojë gjithçka, por me diferencën prej dhjetë pikësh titulli është më i vështirë. Skënderbeu është një skuadër e fortë, por dua të fitoj trofe në Shqipëri dhe tani kemi një trajner fitues. Vitin e kaluar shënova më shumë gola, por me Shkurtajn nuk ka garë. Fillimisht mendojmë të ndihmojmë skuadrën të fitojë, nuk mendojmë cili pason dhe cili shënon. Duhet të përqendrohemi te fitimi i Kupës, të jemi pozitivë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, tha Reginaldo Artur Faife, sulmuesi Kukësit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN