Polanski padit Akademinë e çmimeve “Oscar”

Roman Polanski padit Akademinë e çmimeve “Oscar”, pas përjashtimit në vitin 2018. Regjisori i filmit “Pianisti” u përjashtua nga trupa e akademisë, së bashku me Bill Cosby-n në maj të vitit të shkuar, lidhur me akuzat për ngacmime të rënda seksuale edhe kundrejt të miturave.

Përfaqësuesi i tij ligjor sqaroi se Polanski është përjashtuar pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë mundësi për t’u përgjigjur. Vetë Akademia e çmimeve “Oscar”, në një reagim zyrtar, tha se vendimi për përjashtimin e tyre ishte i drejtë.

Polanski, sot 85 vjeç, me shtetësi franceze dhe polake, u akuzua në SHBA për përdhunimin e Samantha Geimer, në vitin 1977, kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Përpos përjashtimit të Polanskit dhe Cosby nga Akademia, pikëpyetja që u ngrit nga mediat ndërkombëtare ishte se përse “Hollywood”-it iu desh më shumë se 40 vite për të vendosur?

Për ngacmimin seksual të 13-vjeçares, Polanski vuajti dënimin me vetëm 42 ditë burg. Edhe pse ekstradimi i tij është kërkuar disa herë nga autoritetet amerikane, Franca Polonia dhe Zvicra e kanë refuzuar ekstradimin e tij ndër vite. Vetë Samantha Geimer i tha gjykatës amerikane në vitin 2017, se e ka falur regjisorin.

Franca, shtet në të cilin ai regjisori tashmë jeton, nuk e lejon ekstradimin e qytetarëve të saj. Edhe Polonia e refuzoi kërkesën e SHBA për ekstradim atje në vitin 2015, ku Polanski po xhironte një film në Krakov.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN