Regjistrohet “Bindja Demokratike”, do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit

“Bindja Demokratike” është partia më e re në Shqipëri, e regjistruar këtë të martë në Gjykatë dhe Komisionin qendror të zgjedhjeve, nga ish-demokrati Astrit Patozi.

Pas distancimit të Rudina Hajdarit nga kjo forcë e re politike, Patozi mësohet zhvilloi një ditë më parë takime me disa deputetë të dalë nga Partia Demokratike. Bashkë me të në këtë nismë, mësohet se deri tani janë bashkuar Fabjan Topollaj dhe Leonard Olli, të deri pak muaj më parë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të Partisë Demokratike.

Sipas vetë njoftimit për mediat të publikuar nga partia më e re, vendimi për këtë nismë erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj.

Nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit. Anëtarë të këtij bordi do të jenë:

Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi. Po sot Bindja Demokratike dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Administrata e KQZ ka tani pesë ditë kohë për t’i kërkuar partisë së re plotësimin e dokumentacionit përkatës.

Ndërkohë, nëse Bindja Demokratike do të kandidojë në zgjedhjet vendore edhe për kryetarë Bashkie, duhet të dorëzojë pranë KQZ ose Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor 1% të firmave të zgjedhësve të kësaj bashkie.

Sipas burimeve të A2 CNN pranë KQZ, për bashkitë e mëdha, numri i firmave të mjaftueshme është 3000, por në çdo rast duhet të jenë zgjedhës të Bashkisë ku kandidojnë. Por nëse “Bindja Demokratike” zgjedh të kandidojë dikë që aktualisht mban postin e kryetarit të Bashkisë apo këshilltarit bashkiak, atëherë nuk duhen firmat.

Shkarkoni aplikacionin e A2