Rrezik i ri për Notre Dame, shiu kërcënon katedralen e dëmtuar nga zjarri

Pas zjarrit, vjen shiu, një tjetër kërcënim për simbolin ikonë të Parisit. Arkitektët francezë po punojnë për të ruajtur Notre Damin duke e mbuluar katedralen përpara se reshjet të shkaktojnë dëme të tjera.

Meteorologët kanë parashikuar shira të dendur dhe stuhi për në Paris. Tavani i katedrales, i cili u shemb pjesërisht, aktualisht është i mbytur nga uji pas përpjekjeve të mëdha në shuarjen e flakëve. Arkitektët i druhen shembjeve të tjera në strukturë për shkak të reshjeve të shiut.

“E shikojmë me prioritet të lartë vendosjen në mënyrë emergjente të mbulesave kundër ujit. E rëndësishme është të kemi sukses në vendosjen e tyre për të mbrojtur elementët më të dobët të godinës. Ka copëza drurësh që mund të bien, prandaj është një zonë shumë e rrezikshme”, u shpreh Philippe Villeneuve, kryearkitekt i Notre Dame.

Ekspertët i druhen gjithashtu një shkatërrimi të plotë të katedrales 850-vjeçare, për shkak të dëmtimeve të rënda që mori gjatë zjarrit të 15 prillit.

Zjarrfikësit shpëtuan strukturën, por punime emergjente janë zhvilluar që prej asaj kohe për të stabilizuar ndërtesën ikonë të Parisit. Pavarësisht dëmeve të konsiderueshme, presidenti Emmanuel Macron ka premtuar rindërtimin e katedrales së Notre Damit brenda 5 viteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN