Theu “heshtjen në Këshillin Kombëtar” të PD, Malko: Kërkova sqarime nga Basha

Ai nuk është një emër i njohur shumë në opinionin e gjerë, por demokratët e njohin mirë prej vitit të largët 1997, i cili deri “dje” ishte edhe Sekretar për Pronat.

Genti Malko ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos këtë të martë, nga ku foli për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD, por edhe për situatën në këtë parti, si dhe për vendimet e marra kohët e fundit nga Lulzim Basha.

Malko thotë se nuk votoi në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar dhe se kërkoi të flasë atje, ku ai e quan një “Këshill i heshtur”.

“Mu duk se Basha kishte ndryshuar diçka të lehtë nga qëndrimi i tij i mëparshëm në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD. Diskutimi i zotit Basha mu duk se kishte një ndryshim të lehtë nga ai qëndrim i ashpër që kishte pasur më parë. Unë kërkova të sqarohesha. Ai këshill me 350 veta është një këshill ku njerëzit përgjithësisht nuk flasin ose edhe kur flasin të kujton një kohë të shkuar me ovacione dhe mbështetje për frymën apo vendimmarrjen e partisë. Unë ngrita dorën dhe kërkova sqarime. Në këtë moment, zoti Gjana më kërkoi të pushoja. Nuk ishte një diskutim me argument. Unë e pyeta zotin Basha nëse ka hequr dorë nga qëndrimi për të mos negociuar me qeverinë për sa kohë Rama është kryeministër. Në fund të një argumentimi të shkurtër, përfundimi ishte: Jo nuk kemi hequr dorë”, u shpreh Malko.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN