“Thyhet” i arrestuari Bengasi, tregon shokët për “Rinasin”

Alkond Bengasi, një prej katër të arrestuare të deritanishëm për grabitjen e miliona eurove në Rinas është “zbërthyer” para prokurorëve.

Burime pranë Krimeve të Rënda konfirmuan se pas ndalimit ai ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin, duke treguar mënyrën e organizimit dhe emrat e personave të përfshirë në super-grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit.

Sipas burimeve, Bengasi ka identifikuar fytyrat e tyre, mes të cilëve edhe të të dyshuarit si personazh kyç në grabitje, Klemet Çala, në disa fotografi të vëna përpara nga hetuesit.

Bengasi ka treguar për modifikimin e furgonit me mbishkrimin e “Hetimit Tatimor” të përdorur në grabitje. Të martën, ai doli para një trupi gjykues në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë.

Në përfundim të seancës të zhvilluar me dyer të mbyllura gjyqtari Bib Ndreca vendosi lënien e Bengasit në qelitë e paraburgimit. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat e “vjedhjes me armë”, “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Gjatë ditës së mërkurë, pritet të dalin në gjykatë përcaktimin e masës së sigurisë tre të arrestuarit e tjerë për ngjarjen, Sajmir Çela, Oltion Veseli dhe Renaldo Sula.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN