Tkurret kredia, zbret në nivelin më të ulët të 5 viteve

Totali i kredisë ra në nivelin më të ulët të 5 viteve të fundit gjatë muajit shkurt. Kredia për ekonominë arriti në 541 miliardë lekë, apo rreth 8 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Zhvlerësimi i euros dhe fshirja nga bilancet e kredive të këqija janë disa faktorë që kanë çuar në këtë rënie, por arsyeja kryesore është kreditimi i dobët i sipërmarrjes. Sipërmarrësit janë të pasigurt për të investuar, teksa edhe më pak individë po marrim përsipër hapjen e një biznesi të ri.

Bizneset nga ana tjetër kanë rritur kërkesën për kredi për kapital qarkullues, çka do të thotë se ka nevojë për para për të paguar punonjësit dhe përmbushur kontratat. Një situatë e lidhur ngushtë me vonesat e administratës në rimbursimin e TVSH-së, që ka prekur qindra eksportues.

Gjatë fillimit të këtij viti kredia është mbështetur thuajse tërësisht tek individët. Në Shkurt kreditimi për këtë segment arriti në 177 miliardë lekë, rreth 7 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Por edhe këtu vihet re se kërkesa për kredi është orientuar më tepër drejt konsumit, ndërsa  kredia për shtëpi regjistrohet në rënie për herë të parë, pas vitesh të tëra në rritje të qëndrueshme. Kjo rënie vjen në një moment kur interesat bankare për blerje banesash janë ndër më të ulëtat historikisht dhe tregon se individët janë të stepur për të investuar për shkak të perspektivës së zymtë dhe çmimeve të larta në treg.