Burime nga Kryesia e PS: Vazhdojmë përpara, zgjedhje me standarde e të qeta

Kryeministri Rama mblodhi pasditen e së mërkurës Kryesinë e Partisë Socialiste, e cila u mbyll pas gati 4 orësh diskutimi.

A2CNN zbardh detaje nga mbledhja e Kryesisë, ku burimet bëjnë të ditur se ka pasur analizë të qarqeve dhe bashkive në çdo detaj, ndërsa kanë folur thuajse të gjithë të pranishmit.

Burimet bëjnë të ditur se kryesia e PS ka vendosur që të shkohet në zgjedhjet e 30 qershorit. “Këtë javë do të zhvillohen konsultime dhe më pas do të përcaktohen kandidatët. Do të respektojmë Kushtetutën duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Do të respektojmë afatet e KQZ. Vazhdojmë përpara: zgjedhje me standarde dhe të qeta!”, thonë burimet për A2CNN.

Ndërkohë, për gazetarët foli ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se mazhoranca do të shkojë në zgjedhje më 30 qershor, ndërsa tha se PD e LSI kanë vendosur të dalin nga sistemi dhe sipas saj, ata nuk janë opozita.

“Disa parti kanë vendosur të dalin nga sistemi politik. Ne kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit sepse jemi të vendosur të garantojmë një proces zgjedhore me shqiptarët dhe për shqiptarët. Ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën. Ata nuk janë opozita e vendit, por disa parti që kanë dashur të mos jenë pjesë e sistemit. Ato e kanë marrë vendimin prej frikës. Arsyeja jonë përket me interesin e përgjithshëm, që shqiptarët të kenë zgjedhje më 30 qershor”, tha Spiropali.

Shkarkoni aplikacionin e A2