Grabitja në Rinas, bankat pezullojnë transferimin e “cash”-it

Bankat nuk kanë më mundësi të transportojnë para jashtë vendit. Pas grabitjes në Rinas, kompanitë ajrore kanë vendosur të pezullojnë transfertat “cash” nga Tirana drejt Vjenës. Kjo ka krijuar një ngërç, por megjithatë bankat kanë rifilluar të pranojnë valutë të huaj, pas një ndalimi pas grabitjes, që çoi edhe në rënien e euros në kursin e këmbimit.

Kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, Silvio Pedrazzi, kërkon një vëmendje më të madhe nga autoritetet në rritjes e sigurisë së transfertave, teksa vlerëson vendosjen e ushtrisë në perimetrin e aeroportit. Por sipas bankave, nevojitet masa të tjera të shpejta dhe efektive.

Sipas bankave, nevoja për të transportuar para jashtë vendit lind për shkak se ka një tepricë euroje në treg, që vjen nga remitancat, kreditë nga institucionet ndërkombëtare, turizmi dhe kanalet informale. Një pjesë e parave shkojnë drejt bankave mëmë, ndërsa pjesa më e madhe investohen në bono dhe obligacione qeveritare, aksione dhe hua në kompani të huaja.

“Kur u informuam se kompania ajrore ndaloi shërbimin për transportin e parave, u gjendëm të zhveshur. Sepse alternativa tjetër për arsye teknike ishte ndaluar. Për momentin transporti i parave jashtë është ende i pamundur. Mundësia e vetme teknikisht është të bëjmë dërgesa përmes automjeteve të blinduara drejt ndoshta Kosovës apo Greqisë, por nuk është kaq e lehtë. Bankat janë organizuar për të mbajtur momentalisht paratë. Po ta kujtoni ditën pas grabitjes, disa para nuk pranonin më valutë. Por ne vendosëm pas takimeve me shoqatën e Bankave për ta ofruar këtë shërbim. Dhe po ta kujtoni vlera e euros në kursin e këmbimit ra menjëherë, por u ringrit pas këtij vendimi. Megjithatë, jam besimplotë se kompania ajrore do të rinisë shërbimin, kur të ndihet e sigurt në aeroport”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, Silvio Pedrazzi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN