Opozita e re, Rudina Hajdari brenda dhe jashtë Parlamentit

Rudina Hajdari hyri në skenën politike shqiptare në pranverën e 2017-s, kur demokratët ndodheshin ende në çadër. E bija e Azem Hajdarit kishte një profil të përmbajtur politik, në një Parlament ku sherret dhe përplasjet jo vetëm verbale ishin diçka e zakonshme.

Ndaj, bëri jo pak habi heshtja e saj në 21 shkurt, kur kolektivisht opozita dorëzoi mandatet. E jo më pak vendimi saj për ta mbajtur mandatin, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara. Kjo për faktin se Rudina Hajdari, ishte e para që artikuloi variantin e heqjes dorë nga mandate i deputetit, gjatë fjalimit në Ditën e Demokracisë, ndërsa studentët kishin mbushur sheshet në protesta. “T’i bëj një betim të rinjve sot: Unë jam gati të dorëzoj mandatin tim dhe t’u bashkohem atyre, për luftën e tyre. Pra, çdo gjë që ata do të bëjnë. Unë nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, nuk jam kthyer në Shqipëri për të qenë një deputete, jam kthyer për të ardhmen e Shqipërisë”, shprehej në atë kohë Rudina Hajdari.

Por në intervistat në studiot televizive, deklaratat e saj ishin ndryshe. “Dorëzimi i mandatit në mënyrë individuale nuk është i njëjtë për një opozitë të gjerë të dorëzojë mandatin dhe të braktisë Parlamentin në mënyrë të shpejtë dhe të pa diskutuar. Në mënyrë individuale secili është i lirë dhe unë te kjo qëndroj”.

Ashtu siç ishin ndryshe dhe qëndrimet në Parlament dhe në studio televizive, për marrjen pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit të grupit parlamentar demokrat, nëpërmjet krijimit të një partie.

“Sado e kompromentuar apo e korruptuar të jetë kjo mazhorancë, qëndrimi jonë është i njëjtë. Ne nuk duam në asnjë lloj mënyre të bojkotojmë zgjedhjet, përfshirë edhe zgjedhjet e 30 qershorit. Në fakt, koha nuk është në favorin tonë, por ne do të përpiqemi në çfarëdo lloj mënyre që opozitarëve në këtë vend, demokratëve në këtë vend, mos t’i lëmë një vend bosh në këto zgjedhje”, shprehej Rudina Hajdari në Parlament.

“E gjitha kjo ishte një ‘flluskë’ mediatike sesa një gjë reale. U duk si një komplot dhe një gjë e fryrë. Nuk e di kush i bëri këto”, shprehej Hajdari në një studio televizive pas lajmeve sa ajo do të ishte pjesë e partisë së Patozit, që më pas u hodh poshtë.

Tashmë që Bindja Demokratike e Astrit Patozi pret konfirmimin nga KQZ për të bërë opozitën jashtë Parlamentit, demokratët e Rudina Hajdarit zyrtarisht, pas disa debateve dhe mosbesimit ndaj kryetares së grupit, kanë vendosur ta bëjnë brenda tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2