PD kundër Patozit: E përdor Edi Rama që prej vitit 2013

Mimika e Grida Dumës mund të jetë një tregues i asaj çfarë mendojnë një pjesë e demokratëve për partinë e Astrit Patozit.

“Nuk kam asnjë koment për partinë e Patozit. Është vendimi i tyre, por besoj se nuk ia vlen t’i bësh asnjë koment”, shprehet Grida Duma.

Ish-deputeti Ervin Salianji thotë se lëvizja e Patozit nuk ishte surprizë. Sipas tij, jo vetëm Patozi, por edhe anëtarë të Bordit të Bindjes Demokratike, kanë punuar që në 2013 kundër Partisë Demokratike.

“Në fakt, që prej 2013-ës, një pjesë e themeluesve të PD-së, bordi, apo çfarë quhen ata, kanë punuar kundër PD-së. Kanë shpresuar dhe punuar se duke rrëzuar Berishën do tí merrnin partinë. Për inat të Bashës votonin për Ramën dhe padiskutim që për aq vota sa mund të kenë 700-800 në të gjithë Shqipërinë, do të jenë vota që i ikin Edi Ramës”, shprehet Salianji.

Ish-kolegë të tij i kujtojnë Patozit se këtë herë duhet të tregojnë se sa mbështetje ka, pa qenë përfaqësues i PD-së. “Në Shqipëri janë krijuar vazhdimisht parti dhe le të provojë veten në zgjedhje kur mund të regjistrohet si subjekt. Dua të them se opozita nuk mund të kultivohet as në kuvend dhe as jashtë tij”, shprehet Spaho.

Jorida Tabaku nuk sheh vlerë të shtuar në skenën politike të asnjë force të re. “Besoj se ka mjaftueshëm informacion, ka mjaftueshëm parti, ka mjaftueshëm, ide, njerëz, për ta lënë të vetëm Edi Ramën. Kush mendon dhe përpiqet që të kalojë situatën, unë mendoj se nuk i shërben të mirës publike”, thotë Tabaku.

Ndërsa Gazment Bardhi “merr hua” qëndrimin e shprehur nga kryetari Basha. “Ka një qëndrim të kryetarit Basha, të cilin unë e mbështes”.

Partia Bindja Demokratike ka kërkuar të martën të regjistrohet në KQZ dhe gjykatë dhe ka në bord ish-eksponentë të PD-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2