Riktheu lavdinë në basketboll, Teuta largon trajnerin Bilali

Të thyesh rekorde dhe të arrish suksese të jashtëzakonshme mesa duket në Shqipëri nuk mjafton. Trajneri i Teutës në basketboll për meshkuj, Afrim Bilali, pas arritjes së finales historike të Ligës Ballkanike, fitimit të Superkupës së Shqipërisë dhe kalimit në finalet e titullit është, shkarkuar në mënyrë të befasishme dhe pa asnjë arsye konkrete nga presidenti i Teutës Arqile Gorea. Vetë trajneri Bilali e ka të vështirë të shpjegojë këtë rrufenë qiell të hapur.

“Pas fitores marr urimet nga Presidenti, lojtarët. Të nesërmen më kërkon takim Presidenti Gorea dhe më thotë që do të shkëpusim marrëdhëniet. Nuk kisha asnjë indicie që do të ndodhte kjo. Shkova në takim për të diskutuar çfarë do të bënim më tej”.

Sipas Bilalit justifikimi i presidentit është prishja e harmonisë por janë vetë lojtarët që e mohojnë këtë. E vërteta mbetet enigmë, megjithatë arsyet e këtij shkarkimi të palogjikshëm nuk janë kaq të thjeshta sa pretendohen nga krerët e Durrësit. “Lojtarët janë ndjerë të pikëlluar kur kanë marrë vesh shkarkimin tim. Teuta ka pasur ulje-ngritjet e saj gjatë gjithë vitit por asnjë trajner nuk është shkarkuar pas një fitoreje apo një trofeu”, thotë Bilali.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN