Shpallet në kërkim ish-efektivja për grabitjen në Rinas, Prokuroria zbulon rolin

Ish-efektivja e policisë E. Bici dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen e 9 prillit në pistën e Rinasit. 31-vjeçarja, sipas burimeve nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ka pasur rol të rëndësishëm pasi dyshohet se është personi që dogji makinën në Bathore, e cila shpërqendroi dhe aksionin e policisë.

Të njëjtat burime saktësojnë se ajo mund të jetë personi që ka bërë lëvizjen e parave. Për ndalimin e saj është duke u zhvilluar një aksion në Tiranë. E. Bici, në bazë të informacioneve të mbledhura dyshohet se është njohje e vjetër e Admir Murataj dhe grupit të tij. Ish-efektivja dyshohet se ka marrë pjesë edhe në grabitjen e 9 shkurtit 2017, ku në rrugën e Rinasit u grabiten rreth 3,8 milionë euro. Edhe në këtë ngjarje, ajo dyshohet të ketë bërë transportin e parave pasi është kryer grabitja.

Dy persona nga Kosova, që dyshohet se kanë marrë pjesë aktive në grabitjen e Rinasit, janë shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Të dhënat e tyre u zbuluan gjatë dëshmisë së dhënë nga i arrestuari Alkond Bengasi, kushëri më vëllezërit Klement e Eldi Çala.

Bengasi tha para hetuesve se dy kushërinjtë i kishin kërkuar të shkonin në Kavajë për të marrë furgonat. Sipas dëshmisë së dhënë, Bengasi së bashku me vëllezërit Çala, kishin ndaluar te Shkëmbi i Kavajës në një nga restorantet në plazh. Aty, ai kishte parë 47-vjeçarin Admir Murataj dhe dy persona të tjerë, njëri prej tyre njihej si “Daja” nga Kosova, ndërsa tjetri si “Tani”.

Pas marrjes së furgonave, Bengasi, gjithashtu, ka pranuar se ka modifikuar të dy mjetet e markës “Chevrolet”. Më pas, ai ka dëshmuar se rreth 1 muaj para grabitjes, furgonit i janë bërë teste në zhvendosjen e blloqeve të betonit e për këtë iu vendos shina e trenit. Nga ana tjetër, grupi hetimor dyshon se para ngjarjes, grupi i grabitësve ka bërë prova për mënyrën se si do të hiqnin zinxhirin nga porta e emergjencës, por edhe fotografuar llojin e drynit pikërisht në derën që u bë e mundur hyrja.

Deri më tani, policia nuk ka dhënë një version zyrtar të ngjarjes apo numrin e personave të përfshirë e shpallur në kërkim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN