Zgjedhjet e 30 qershorit, Rama mbledh kryesinë e PS, përgatitjet për procesin

Kryeministri Rama ka thirrur sot pasdite mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste. fokusi do të jetë procesi zgjedhor i vendoreve të 30 qershorit e reforma zgjedhore.

Për këtë të fundit, socialistët kanë gjetur dakordësinë edhe me opozitarët e rinj në Parlament.

Burimet i thanë A2CNN se komisioni i reformës zgjedhore do të tkurret nga 18 në 10 anëtarë, ku nga PS do të jenë Damian Gjinkuri, Blerina Gjylameti, Klotilda Ferhati, Alket Hyseni dhe Bashkim Fino, ndërsa nga grupi parlamentar demokrat, Rudina Hajdari duket se është penduar dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e këtij komisioni.

Emrat që do të përfaqësojnë grupin parlamentar demokrat do të jenë Korab Lita bashkëkryetar, Myslym Murrizi dhe Andi Përmeti.

Nga të pavarurit në Parlament: Nimet Musai dhe Ralf Gjoni. Ndryshimet e miratuara, ku përfshihet edhe diskutimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, do të votohen nesër në Parlament. Për dakordësinë me mazhorancën foli edhe deputeti Ralf Gjoni.

“Baza e të gjithë të këqijave janë ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Çdo problem politik buron nga këto ndryshime. Kam besimin e plotë se do të biem dakord që brenda ditës së sotme. Nëse shtyrja e zgjedhjeve i shërben ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe përfundimit të punës së komisionit të posaçëm, unë do të isha dakord të shtyheshin zgjedhjet”, u shpreh Ralf Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN