Zgjedhjet në veri të Kosovës, KQZ nuk certifikon kandidatët e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk certifikoi katër kandidatët e Listës Serbe, të cilët pritet të garojnë për kryetarë të komunave në veri të vendit në zgjedhjet lokale të 19 majit.

Kjo erdhi pas abstenimit të dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë debatit në KQZ, Adnan Rrustemi kërkoi që Lista Serbe të zëvendësojë 3 nga 4 kandidatët e saj, ose ata të distancohen nga deklaratat që mohojnë shtetin e Kosovës.

Më konkretisht, u kërkua që ata të mos përdorin termin “Kosovë e Metohi”. Atij iu përgjigj anëtari tjetër i KQZ-së, Stevan Veselinoviç. Ai shprehu shqetësim rreth moscertifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet në veri duke thënë se kjo po bëhet për arsye të pastra politike dhe nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si sulm ndaj komunitetit serb.

Anëtarët e tjerë të KQZ-së nuk u dakorduan me këtë deklaratë të Veselinoviçit dhe hodhën poshtë pretendimet e tij.

Zgjedhjet në veri të Kosovës u thirrën nga presidenti Hashim Thaçi, pasi kryetari i Zubin Potokut, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviçit, dhanë dorëheqjen vitin e kaluar, në shenjë proteste për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN