Basha nga Miloti: Nisi mosbindja civile, zgjedhje me Ramën nuk lejojmë

Nga Miloti, Lulzim Basha, kryetari i PD, u shpreh se bllokimi i akseve kryesore të vendit këtë të diel është vetëm fillimi i mosbindjes civile.

“Mirënjohje të thellë për pjesëmarrjen tuaj të thellë. Këtë të enjte, këtu në Milot, dua të falënderoj në emrin tuaj, të gjithë protestuesit e tjerë, që nisin sot aktin e mosbindjes civile, si dëshmi dhe provë e pathyeshmërisë sonë.

Vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar dhe më i dështuar që njeh historia e pluralizmit, arroganti, mashtruesi Edi Rama, i cili me bandën e tij, brenda 6 viteve i vuri shkelmin demokracisë dhe e copëtoi Shqipërinë. Ne e dimë se pesha e këtij udhëkryqi rëndon në përditshmërinë e çdo shqiptari. Ne e dimë fare mirë se pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë dalje nga varfëria e skajshme. Themeli i kësaj të keqeje është rënia e demokracisë, pa votë të lirë nuk ka demokraci. Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Europës. Ne jemi të vendosur se kështu nuk mund të vazhdohet më dhe nuk do të vazhdohet më. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, numerik, është mazhoranca e re. Për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, më parë duhet të çlirojmë zgjedhjet”, u shpreh Basha.

Kreu i PD u shpreh edhe njëherë se zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Ai theksoi se opozita nuk do të lejojë zgjedhje false.

“Një orë e re po troket. 10 javë më parë ne morëm vendimin historik për të dorëzuar mandatet për të qëndruar krah për krah me qytetarët në një betejë që do ta fitojmë për demokracinë

Më 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri, këtë e di edhe bufi dhe vëllai i bufit Edi Rama. Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Opozita nuk mund të klonohet, ashtu siç mund të klonohen shërbëtorët e Edi Ramës. Ne jemi e vetmja opozitë, të bashkuar me njerëzit.

Jemi sot këtu për të dëshmuar vendosmërinë tonë. Ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, me asnjë çmim, krim elektorat, zgjedhje false nuk do të ketë më. Le ta dijë mirë Rama dhe shërbëtorët e tij, në burg do të shkojnë me të vërtetë ata që cenojnë zgjedhjet: Vangjush Dako, e të tjerë që janë kapur duke trafikuar votat e shqiptarëve. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejojmë krimin elektoral të përsëritet. Vetëm kështu do të mund të kthejmë normalitetin dhe stabilitetin duke u dhënë shqiptarëve të drejtën e pamohueshme për të zgjedhur ata parlamentin. Ky themel i demokracisë është e vetmja rrugë drejt Europës.

Edi Rama kurrë më nuk do të jetë Kryeministri që organizon zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet me Edi Ramën janë farsë, janë krim. Ky është kusht i panegociueshëm i PD dhe opozitës. Le ta dinë fare mirë se kjo e sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile”, tha Lulzim Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN