“Bindja” e Ollit: PD ta kalojë fazën e të “divorcuarve”, përballë kemi një regjim autokratik

Leonard Olli është rikthyer në politikën aktive pas divorcit me Partinë Demokratike. Ai, bashkë me Astrit Patozin, janë emrat më të njohur të krijesës së re të politikës shqiptare, “Bindja Demokratike”. Në A2 ai shpjegon arsyet që e kanë shtyrë të angazhohet sërish, si dhe tregon detaje mbi partinë e tij të re.

Por nga vjen kjo sipërmarrje? “U përpoqëm në të gjitha mënyrat për të shtrënguar radhët, për të shkëmbyer idetë, dhe u refuzua. Jemi miq të vjetër dhe kemi beteja të përbashkëta, por edhi një moment kur u ndanë konceptet dhe rrugëtimet, si dhe mendimi se si reagohet nga situata ne vend” thotë Olli.

Dhe thumbon, siç e ka karakteristikë. “Në qoftë se idea e njëshit, liderit, është ajo qe vlen, atëherë tejkalohet ajo që është një parti e djathtë. Kam besuar që aderova për vite në një parti të djathtë që ka liri të mendimit”.

Por PD-ja nuk i ka parë me vizion kaq diplomatik, madje disa kanë deklaruar se “Bindja” është “e paguar” nga Rama.  

Olli nuk tërhiqet. “Do dëshiroja që pjesën e sherrit të sapo divorcuarve ta kalonim se nuk sjell gjë të mirë. Më këtë logjikë, pse mos të them unë që lidershipi i PD është i blerë nga Rama, se nuk po e rrezon dot?”.

Për Ollin ky nuk është argument. “Këto kanë luksin të shkëpusin vëmendjen e opinionit nga keqqeverisja e një regjimi autokratik” që sipas tij  ka zëvendësuar konceptin e diktaturës së proletariatit me “diktaturën e urisë”,   në një vend ku 600mijë persona kanë braktisur vendin , dhe Shqipëria shihet si vend “ku nuk mund të jetohet”.

Por kush do të votojë për Bindjen? “Shqetësimet tona janë ato te gjithë shqiptarëve, të majte dhe të djathtë.  Por ne jemi parti e qendrës së djathtë, shumë të qartë me ndëshkimin  e krimeve të komunizmit dhe personave që i kanë kryer ato”.

Por kush është prapa Bindjes, përveç tij dhe Patozit? “Çështja e figurave nuk lidhet me sa janë të njohur, por me kualitetet”. Dhe bën një paralel që nuk do t’i pëlqejë një juventini si kryeministri Rama.  “Pamë Ajaksin që e kishim harruar prej vitesh të vi me kualitete të shkëlqyera edhe pse të panjohura në futbollin botëror”. Dhe përmend  Arben Skënderin, “muzikant i talentuar dhe mendje e mençur”, si dhe Andi Përmeti, “nga ai brez i rritur me pantallona të shkurtra në PD”.

Olli është gjithsesi realist. “Duhet të jemi të sinqertë sepse përndryshe do të ishim fotokopje. Nuk jemi ende gati për 30 qershorin.  Nuk është problem a do të kemi garë, nuk është problem të gjesh 61 persona për të garuar. E rëndësishme është që në këtë fazë vendimet të vinë me një farë kolegjialiteti dhe standardi”.

Mund të ketë bashkëpunime me Rudina Hajdarin? Olli është i hapur.  “Ai grup ka deklaruar se nuk mund të jetë me Partinë Demokratike. Janë përjashtuar nga PD dhe nga pikëpamja statutore ishte vendi normal se kane thyer një vendim politik. Ata janë demokratë por jo përfaqësues të PD-së”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN