Opozita paralizon trafikun për 1 orë, Basha: Nisi mosbindja civile

Ora 19:00 – Mbyllet protesta e opozitës në Tiranë, Elbasan, Milot, Fier dhe Durrës. Pas fiks një orë tubim, ku u bllokuan disa nga akset kryesore kombëtare, protestuesit u larguan duke liruar trafikun.

18:40 – Basha nga Miloti: Nisi mosbindja civile, zgjedhje me Ramën nuk lejojmë

“Mirënjohje të thellë për pjesëmarrjen tuaj të thellë. Këtë të enjte, këtu në Milot, dua të falënderoj në emrin tuaj, të gjithë protestuesit e tjerë, që nisin sot aktin e mosbindjes civile, si dëshmi dhe provë e pathyeshmërisë sonë.

Vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar dhe më i dështuar që njeh historia e pluralizmit, arroganti, mashtruesi Edi Rama, i cili me bandën e tij, brenda 6 viteve i vuri shkelmin demokracisë dhe e copëtoi Shqipërinë. Ne e dimë se pesha e këtij udhëkryqi rëndon në përditshmërinë e çdo shqiptari. Ne e dimë fare mirë se pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë dalje nga varfëria e skajshme.

Themeli i kësaj të keqeje është rënia e demokracisë, pa votë të lirë nuk ka demokraci. Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Europës. Ne jemi të vendosur se kështu nuk mund të vazhdohet më dhe nuk do të vazhdohet më.

PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, numerik, është mazhoranca e re. Për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, më parë duhet të çlirojmë zgjedhjet.

Një orë e re po troket. 10 javë më parë ne morëm vendimin historik për të dorëzuar mandatet për të qëndruar krah për krah me qytetarët në një betejë që do ta fitojmë për demokracinë

Më 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri, këtë e di edhe bufi dhe vëllai i bufit Edi Rama. Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Opozita nuk mund të klonohet, ashtu siç mund të klonohen shërbëtorët e Edi Ramës. Ne jemi e vetmja opozitë, të bashkuar me njerëzit”.

18:25– Protestuesit në Elbasan kanë bllokuar autostradën me Tiranën, ndërsa i kanë vënë flakën disa gomave.

18:13 – “Siç po e shihni, protesta është e qetë. Qytetarët duan ta dinë që është një sakrificë fare e vogël për të arritur gjëra të mëdha. Vendimet do të merren në vijim në lidhje me vijimin e protestave”, u shpreh Paloka.

18:10 – Në momentet e para ka pasur edhe përplasje mes drejtuesve të automjeteve dhe protestuesve. Në Tiranë, te sheshi “Shqiponja”, një drejtues automjeti refuzoi të ndalonte dhe është dhunuar nga protestuesit.

18:06 – Gazment Bardhi në Durrës: “Do të qëndrojmë sa të vendosin qytetarët. Do të ketë lëshime për raste urgjence”.

18:04 – Në Durrës ka pasur momente tensioni, që në fillim të protestës. Disa prej drejtuesve të automjeteve janë nervozuar nga kjo formë proteste, ndërsa protestuesit kanë bërë disa tolerime duke lënë të kalojnë disa makina me familjarë dhe fëmijë të vegjël.

18:00 – Në Elbasan është bllokuar vetëm aksi Elbasan-Tiranë dhe jo rrethrrotullimi në Bradashesh. Në krye të protestës janë vendosur ish-deputetët e PD, ndërsa të shumtë janë edhe efektivët e policisë.

17:57 – Në Milot, policia bën thirrje me altoparlant se tubimi është i paligjshëm. Një kordon i policisë është vendosur në këtë zonë.

17:55 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është bashkuar protestuesve në Milot atje ku do të bllokohet rruga. Protestuesit e kanë pritur kryetarin e PD me thirrjet “Rama ik”!

17:50 – Në Durrës, te “Plepat”, pak para orës 18:00, nuk janë të shumtë qytetarët e vendosur aty. Në vend të Palokës, i pranishëm në këtë protestë do të jetë Gazmend Bardhi, ish-deputeti Oerd Bylykbashi, Florion Mima dhe Oriola Pampuri.

17: 48 – Rreth 300 punonjës policie janë vendosur pranë rrethrrotullimit të Sheshit në Fier, një nga pikat të cilat do të bllokohen nga opozita ditën e sotme. Qytetarë të ardhur nga zonat e jugut janë mbledhur në këtë rrethrrotullim. I pranishëm do të jetë edhe ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, ndërsa nga LSI ish-deputetja Kejdi Mehmetaj.

17:44 – Mësohet se rruga në Milot do të jetë e bllokuar për 45 minuta, nga ku do të flasë edhe kryetari i PD, Lulzim Basha.

Opozita proteston sot në orën 18:00 duke bllokuar rrugët në 5 nyje të rëndësishme kombëtare.

Në kryeqytet, do të bllokohet rrethrrotullimi i “Shqiponjës”, në Elbasan ai i Bradasheshit, në Durrës te rruga “Plepa” – Kavajë, te rrethrrotullimi i Milotit në veri dhe te rrethrrotullimi i Sheqit në Fier.

Vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të jetë pjesë e tubimit në Milot. Përshkallëzimi i protestës, me bllokim të akseve rajonale, ishte një vendim i marrë në Këshillin Kombëtar.

Ndërsa dy ditë më parë Partia Demokratike dhe koalicioni zyrtar opozitar firmosën një marrëveshje që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve jashtë standardeve, e kërkuan dhe një herë largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për mbajtjen e një procesi të lirë zgjedhor.

Burime për A2CNN thonë nuk do të jetë vetëm dita e enjte, një skenar i pritshëm mund të ndodhë edhe të hënën.

Ky është një vendim në Këshillin Kombëtar të PD duke përshkallëzuar më tej aksionin opozitar, duke mos u limituar vetëm në protestat e quajtura kombëtare dhe ato përballë parlamentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN