Papa në qytetin e Nënë Terezës

Më 7 maj, Papa Françesku do të vizitojë për herë të parë Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Shkupit po përgatitet në detaje për këtë zhvillim të rëndësishëm duke organizuar 15 mijë vende në sheshin e Shkupit, ku kreu i Kishës Katolike do të mbajë meshën e shenjtë.

Kryeministri Zoran Zaev, e konsideroi një nder të madh këtë vizitë të njërit prej drejtuesve më të rëndësishëm botërorë e shpirtëror që paraqet frymëzim për miliona besimtarë dhe qytetarë të vullnetit të mirë. “Papa Françesku zgjodhi të vizitojë kishën katolike dhe popullin e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të tregojë afërsinë e tij personale dhe simpatitë e forta të Vatikanit për vendin tonë. Ardhja e tij në qytetin e lindjes së Nënës Terezës, e cila u shndërrua në vetëdijen morale të botës, ka një simbolikë dhe mesazh për pajtim dhe solidaritet”, tha Zaev.

Për këtë ngjarje të madhe, autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të mëdha sigurie, të cilat nuk janë parë deri më tani në Shkup. Organizatorët i bënë thirrje të gjithë besimtarëve nga vendet fqinje që të udhëtojnë për në Shkup e të bëhen pjesë e vizitës së Papa Françeskut.

Ndërkaq mediat kanë treguar interes tepër të lartë për këtë ngjarje: 400 gazetarë kanë kërkuar të akreditohen, prej të cilëve 200 janë të huaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN