Dëgjesa për Kartën e Studentit, shpërndarja nis në maj, 40 shërbime me tarifa të reduktuara

Në mes të muajit maj nis shpërndarja e kartave të studentëve. Gjatë një dëgjese me të rinj të Universiteteve të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti treguan se mbi 40 shërbime do të ofrohen të reduktuara për të rinjtë.

Po ashtu, karta e studentëve në Tiranë do të jetë e vlefshme edhe për institucionet kulturore në rrethe e anasjelltas.

Krahas vizitave në muze, në teatro, lëvizjet në linjat urbane, ulje tarifash do të ketë edhe në shërbimet private, në telefoninë celulare, në librari, shërbime dentare e mjekësore.

Pajisja me këtë dokument, sqaroi Veliaj, do të përgjysmojë koston e abonesë për të gjithë studentët.

Me kartë do të pajisen edhe studentët e ciklit master, doktoraturë madje dhe ata që janë në stazh. Velija sqaroi se dokumenti do të jetë edhe për të rinjtë e universiteteve private, por institucioni i tyre duhet të mbulojë koston e prodhimit.