Takimi i Berlinit, Haradinaj shpreson për qëndrim të njëjtë me Thaçin

Qëndrimi i Kosovës për kufijtë dhe taksën ndaj mallrave serbe nuk do të ndryshojë. Kështu u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për shtyp.

 Duke folur për takimin e së hënës në Berlin, shefi i qeverisë kërkoi që mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi të ketë bashkërendim të qëndrimeve.

Haradinaj komentoi edhe sjelljen e fundit të autoriteteve serbe, që ushtrojnë presion ndaj zyrtarëve serbë të qeverisë së Kosovës duke i ndaluar ata në kufi.

“Ne nuk mund të heshtim për faktin që zyrtare te qeverise tone, në këtë rast serb të Kosovës, ta ndalohen në kufi të Serbisë. Nëse ata vazhdojnë me këtë taktikë edhe ne dimë të bëjmë të njëjtën gjë, edhe në dimë të çojmë policinë, hetuesinë etj”, deklaroi kryeministri Haradinaj.  

Ndërkohë, deputeti i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviç, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të kësaj partie dhe ministrja e Bujqësisë Diana Zhiviç në shenjë proteste për ndalesat që po u bëhen nëpër kalimet kufitare nga ana e Policisë serbe, kaluan në këmbë pikën kufitare në Merdarë.