Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Zgjidhja e krizës politike, Meta takon aleatët e Bashës

Nga A2 CNN
26 Prill 2019, 19:43 | Politikë
Zgjidhja e krizës politike, Meta takon aleatët e Bashës

A do të ndërhyjë Presidenti i Republikës për të thirrur një tryezë gjithëpërfshirëse për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në vend? Ilir Meta është shprehur deri më tani se ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar këtë krizë, ndërsa i ka lënë mënjanë zotime të tilla si ai i marsit në Pogradec: “Deri te sakrifikimi i jetës time si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

E ndërsa vendi vazhdon në një krizë politike pa krye, rolin e Presidentit kërkuan ta nxjerrin në skenë partitë e grupimit të qendrës së djathtë, PR, PDK, LZHK, PAA dhe PBDNJ. Presidenti e ka pranuar brenda 24 orëve kërkesën e tyre për t’i takuar dhe do t’i presë në zyrën e tij të martën e javës që vjen.

Burime pranë aleatëve zyrtarë të Lulzim Bashës thanë se veçse do të njohin kreun e shtetit me domosdoshmërinë për zgjedhje të lira, do të bisedojnë edhe për mekanizmat që mund të përdorën në zgjidhjen e situatës politike në vend, që e gjen opozitën jo vetëm jashtë Kuvendit, por edhe larg zgjedhjeve, pa plotësimin e kushteve të saj. Këto parti po përgatisin një plan B nëse tryeza me Presidentin nuk do të sjellë rezultat. Vetë ata mund të organizojnë një tryezë dhe ftesa pritet të jetë e hapur për pjesëmarrje.

Partitë e vogla shpesh zemërohen që cilësohen të tilla, ndërsa e gjejnë veten në jo pak raste nismëtare të zgjidhjeve të mëdha politike.

Kriza pas zgjedhjeve të kontestuara të 2001-shit solli marrëveshjen historike Nano-Berisha që zgjidhi krizën politike me zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe i hapi rrugën një dekade të miratimeve të kodeve zgjedhore me konsensus.

Ishte presidenti konsensual Alfred Moisiu që duke mbyllur në Presidencë partitë politike, finalizoi marrëveshjen që zhbllokoi mbajtjen e zgjedhjeve vendore të 2007-es. Me angazhimin e partive të vogla, PR dhe PAA, u mblodh në Kuvend tryeza e partive pas së cilës një takim Rama-Basha prodhoi marrëveshjen që zhbllokoi zgjedhjet e 2017-es.

Marreveshje ka pasur edhe kur kryeministër ishte Sali Berisha, por ajo e 2008-ës mes tij dhe Edi Ramës nuk pati nevojë për ndërhyrje presidenciale. Ndryshoi Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, duke i sjellë vendit, ndër të tjera dhe sistemin zgjedhor që ashtu si sot, partitë e vogla gjithnjë e kanë kundërshtuar.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, ka zgjedhur të heshtë lidhur me mundësinë e një tryeze të thirrur nga Presidenti.

Ndryshe nga aleatja, LSI, që nuk përjashton ndërhyrjen e asnjë aktori. Jo vetëm presidenti, por të gjithë ata shqiptarë që vendi i tyre iu dhimbset që kanë një lloj përgjegjësie, duhet të reagojnë”, është shprehur Kryemadhi.

Sikurse edhe socialistët, por pa pranuar kushte. “Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo formë dialogu, por ky dialog duhet të garantojë se nuk shkelim mbi parimet kushtetuese”, është shprehur Taulant Balla.

Qëndrimet e palëve lënë opsione të hapura dhe java e ardhshme mund të sjellë zhvillime të reja në skenën politike.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli