Ekspozita “firmato” e Donald Trump

Padyshim që kjo është epoka e artë për Donald Trump. Presidenti amerikan ka frymëzuar artistë në mbarë botën, siç ka ndodhur edhe artistin kontrovers Andres Serrano, i cili ekspozitën e tij të çelur në Nju Jork e ka titulluar “The game, all things Trump”.

Serrano ka kaluar një vit duke mbledhur e blerë gjithçka që mban firmën e Trump, të bizneseve të tij, apo për gjithçka që ka lidhje me karrierën e tij politike dhe lidhjet me median, duke shpenzuar 200 mijë dollarë. “Donald Trump është shumë i mirë në promovimin e vetes së tij, në gjithçka në jetë dhe mund të them se Trump e ka mjelë Amerikën për një kohë shumë të gjatë, aq sa tashmë lopa është e tija”, thotë Serrano.

Ekspozita është e mbushur me sende nga fushata e tij elektorale, kapelat apo bluzat, revista e gazeta me intervista të tij, sende nga kazinoja e tij apo edhe nga universiteti Trump. “Unë shoh shumë përtej jetës së Donald Trump. Për mua, ai e ka fituar lojën dhe tani lufta është një tjetër. Për Trump gjithçka është lojë, është luftë”.  

Serrano është i njohur për ekspozitat e tij në mbarë botën, me profesion fotograf dhe thotë se përmes kësaj ekspozite, ka arritur të krijojë një portret të Donald Trump”. “The game, all things Trump” do të qëndrojë e hapur deri më 9 qershor.

Shkarkoni aplikacionin e A2