“Skuqet” Dortmund, Schalke “asist” për Bayern

Me mbijetesën thuajse të siguruar, Schalke 04 luante vetëm për prestigj në derbi i Ruhrit përballë Dortmund. Nga ana tjetër, vendasit kërkonin patjetër fitoren për të kaluar në renditje Bayern Munchen, me shpresën e një gabimi të kryesuesve të kampionatit gjerman të dielën kundër Nurnberg.

Por edhe pse Mario Gotze shënoi golin e parë për Borussia-n që në minutën e 14, tre gola të miqve shkatërruan ëndrrën e 70 000 të pranishmëve në “Signal Iduna Park”. Fillimisht Daniel Caligiuri arriti të barazonte shifrat përmes një penalltie të ekzekutuar saktë në të 18’, ndërsa dhjetë minuta më vonë ishte Salif Sane që kaloi miqtë në avantazh me një goditje të bukur me kokë pas krosimit të Caligiuri -t.

Gjermani u bë sërish protagonist kur shënoi vetë golin e tretë me një goditje dënimi, ndërsa për Dortmund i ndërlikoi edhe më shumë gjërat në pjesën e dytë kur fillimisht Marko Reus e më pas Marius Wolf, dolën me të kuqe pas dy ndërhyrjeve të ashpra.

Axel Witsel shkurtoi diferencat në të 85, por vetëm një minutë më pas erdhi edhe goli tjetër i Schalke, realizuar nga Embolo, për të sigluar rezultatin përfundimtar 2-4.

Zhgënjim në shkallët e stadiumit, ku ishte edhe një tifoz i veçantë i Dortmund, 99-vjeçari Friedrich Wegener.

Shkarkoni aplikacionin e A2