Stili gotik jashtë mode, propozimi “ekologjik” për “Notre Dame”

Arkitektura e stilit gotik është shumë e vjetruar… Të paktën kështu mendon firma franceze që ka propozuar një projekt për të shndërruar çatinë e Katedrales së “Notre Dame” në një serrë gjigante. Kulla e kishës 856-vjeçare do të zëvendësohej me një kullë xhami të mbushur me bletë, ndërsa e gjithë çatia do të shndërrohej në një kopsht.

Franca është përfshirë momentalisht nga një debat për mënyrën se si duhet rindërtuar katedralja pasi u dogj pjesërisht më 15 prill. Sipas firmës “NAB”, silueta e godinës nuk do të ndryshonte, por vetëm qëllimi i saj do të ishte më modern dhe më “ambientalist”.  

Kulla spirale do të zëvendësohej me një strukturë hekuri në ngjyrë ari e mbuluar me panele xhami. Bletët në fakt nuk janë një risi, pasi 180 000 jetonin aty në kuti druri e mrekullisht i mbijetuan zjarrit. Sipas firmës, ky dizajn i ri do të rikthente dashurinë për natyrën.

Kostot e riparimit të katedrales mendohet se do të kalojnë 1 miliardë dollarë dhe për këtë qëllim është çelur edhe një konkurs ku janë ftuar firma arkitekturore nga e gjithë bota. Deri tani, më shumë se 835 milionë dollarë janë mbledhur në fonde të dhuruara nga miliarderë të ndryshëm, por edhe fëmijë.

Presidenti Emmanuel Macron u zotua që “Notre Dame” do të rindërtohet për 5 vite, ndërsa arkitektët mendojnë se do të duhen dekada për të rikthyer siç ishte një prej monumenteve më të rëndësishme të Parisit, që vizitohet çdo vit nga 13 milionë njerëz.

Shkarkoni aplikacionin e A2