6 muaj nga vrasja e Kacifas, familjarët: Nuk e dimë ende pse e vranë

Sot mbushen 6 muaj nga vdekja e Kostandin Kacifas, minoritarit grek të vrarë në Bularat gjatë përplasjes me armë me Policinë.

Ngjarja tensionoi jo pak marrëdhëniet mes 2 vendeve, duke shkaktuar reagime ne nivelet më të larta të qeverise greke. Por ndryshe nga 6 muaj më parë, kur politikanë dhe ekstremistë grekë zbarkuan në jug të Shqipërisë për ceremoninë e varrimit, familjarët kanë preferuar që ta përkujtojnë vetëm mes vetes.

Gjatë një interviste për A2 CNN, Jani Kacifas, babai i Kostandinit, shprehet se policia e përndiqte prej kohësh të birin. I cili nga ana tjetër, ditën që u vra po shtinte me armë, por sipas babait, me fishekë manovër, në përkujtim të festës që zhvillohej në fshat.

“Në asnjë mënyrë nuk po i gjuante policisë”, thotë Janis. “Ai qëllonte vetëm në ajër, ose në tokë”.

Flet edhe mamaja e Kacifas: Ekziston një video e policisë, duam ta shohim

Ndërkohë edhe e ëma e Konstantin Kacifas reagon, duke dhënë versionin e saj të historisë.

“Dua të di të vërtetën. Pse erdhi Renea këtu dhe na tërhoqi zvarre. Erdhën 20-30 policë vetëm për të arrestuar djalin tim. Dua të di pse e vranë djalin tim, ai ishte thjesht një njeri që besonte te Greqia, atdheu i tij”.

Ajo ka edhe një denoncim për të bërë. “Dua të denoncoj një polic lokal këtu, që dyshojmë se ka marrë lekë. Interesohej shume për djalin edhe më parë. Përse e vranë, kur i gjithë fshati e donte. Përpiqej të ndihmonte të gjithë”.

Ajo flet edhe për një video që mund të zbardh dinamikat. “Ekziston edhe një video. Policia shqiptare kur erdhi këtu ka pasur një kamera të instaluar në kokore, kanë filmuar gjithçka këtu. Kanë ushtruar dhunë ndaj nesh. Duam të shohim pamjet e asaj video”, thotë ajo, gjithmonë në greqisht.  

Shkarkoni aplikacionin e A2