“Krishti u ngjall”, ortodoksët festojnë Pashkën

Mijëra besimtarë të krishterë ortodoksë kremtuan në mesnatë Pashkën, duke mbushur kishat në qytetet e tyre.

Në Tiranë Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore u kryen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, dhe u drejtuan nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i ndihmuar nga Mitropoliti i Amantias Nathanaili, Episkopi i Bylisit Asti dhe klerikë të Kryepeshkopatës.

Kisha dhe mjedisi përreth u mbushën nga mijëra e mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës, që pritën me padurim lajmin më të madh të të gjitha kohërave, Ngjalljen e Krishtit, për të marrë më pas “Dritën që nuk perëndon”, për ta çuar në shtëpitë e tyre në çdo cep të Tiranës, si një bekim për të gjithë Kryeqytetin.

Nuk munguan edhe fëmijët, të cilët provonin lojën tradicionale duke përplasur vezët e kuqe, një tjetër simbol i kësaj feste.

Pashka, ose Dita e Ringjalljes, është festa më e madhe e Krishterimit dhe një nga shtyllat kryesore të këtij besimi, pasi sipas Dhiatës së Re përkujton ngjalljen e Krishtit tri ditë pas kryqëzimit nga romakët në vitin 30 p.e.s. Në 40 ditët që i paraprijnë festës, besimtarët mbajnë Kreshmën, ose agjërimin e pjesshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN