Zgjedhjet të vrasin, vdekje rekord nga mbingarkesa në Indonezi

Dhjetë ditë pasi në Indonezi u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, më të mëdhatë në botë të organizuara brenda një dite, më shumë se 270 vetë, pjesë e komisioneve të ndryshme zgjedhore, kanë vdekur, shumica nga sëmundje që lidhen me lodhjen dhe mbingarkesën në punë.

Orët e zgjatura në postet e punës dhe numërimi i miliona fletëve të votimit janë shkaqet kryesore, tha të dielën për “Reuters” një zyrtar vendas.

Zgjedhjet e 17 prillit ishin të parat në vendin me 260 milionë banorë ku votohej edhe për Presidentin, edhe për parlamentin kombëtar dhe ato rajonalë, me synimin për të ulur shpenzimet.

Përgjithësisht votimi ishte paqësor dhe 80% e 193 milionë votuesve morën pjesë, ku secili kishte pesë fletë për të mbushur. Në total ishin ngritur 800 000 pika votimi. Nga mbingarkesa, përveç 272 të vdekurve, pati edhe 1878 të sëmurë të shtruar nëpër spitale.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN