Kategoria e Dytë, agresion ndaj arbitrave, lojtarët e Shkumbinit rikthejnë dhunën

Dhuna është një fenomen tejet i vështirë për t’u larguar nga futbolli në Shqipëri. Episodi më i fundit është regjistruar në Kategorinë e Dytë, në ndeshjen ndërmjet Delvinës dhe Shkumbinit.

Rezultati final ishte barazimi 1 me 1, ndërsa pas takimit, treshja e arbitrave, e drejtuar nga kryesori Blerim Ziri ishte në shënjestër të agresionit nga futbollistët peqinas.

Gjithçka ndodhi pas përfundimit të lojës, ndërsa gjyqtarët po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes. Situata e tensionuar e krijuar nga futbollistët e Shkumbinit, u shoqërua me reagimin e tifozëve vendas, të cilët hodhën sende të forta ndaj kundërshtarëve.

Për të kthyer normalitetin, ndërhynë forcat e policisë private, forcave të rendit dhe të futbollistëve të Delvinës.

Fusha si arenë shkelmash,  Shkumbini akuzon: Maskaradë e arbitrit Ziri

Për ngjarjet e ndodhura në Delvinë, ka reaguar edhe Shkumbini. Klubi i qytetit të Peqinit akuzoi me imazhe video “maskaradën e kryesorit Ziri”, duke e akuzuar se “ai ka zbatuar urdhrat nga sipër”.

Në pamjet filmike, Shkumbini ka përzgjedhur disa nga rastet, të cilat konfirmojnë lojën e ashpër të futbollistëve vendas.

Ndërhyrje brutale, shtyrje apo edhe shkelma, të cilat e kanë kthyer fushën në arenë dhune, shumë kohë përpara se situata të tensionohej në fundin e lojës. “Çdo koment është i tepërt përballë këtyre fakteve…”, shkruante klubi i Shkumbinit në faqen zyrtare, por pa shfaqur për asnjë moment pendesë apo pa kërkuar ndjesë për dhunën në fundin e lojës.

Shkarkoni aplikacionin e A2