Macron: Nuk do të imponojmë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por duam stabilitet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se Bashkimi Europian pret që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë sa më shpejt, pasi kjo do të thotë më shumë siguri për stabilitetin në Ballkan.

Ai falënderoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, dhe atë grek, Tsipras, për marrëveshjen e Prespës, të cilën e mori si një shembull që duhet ndjekur. “Ajo tregon se është e mundshme të kalohen problemet nëse ata që kanë gjërat në dorë janë mjaftueshëm të guximshëm”, tha Macron.

“Kemi dëshirë dhe shpresojmë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ne nuk duam të imponojmë ndonjë marrëveshje, por duhet të shmangim tensionet e reja në tavolinë, pasi duam që të dy palët të rifillojnë dialogun. Sfida e dytë që kemi është që të punojmë bashkë për stabilitetin në rajon. Këtu nuk bëhet fjalë për procesin e zgjerimit, por stabilitet në rajon dhe kjo do të thotë që Franca do të angazhohet më shumë”.