Platforma e aleatëve të PD, Mediu: Zgjidhje me interes afatgjatë për vendin

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2CNN nga ku foli për platformën e paraqitur ditën e sotme nga partitë aleate të PD për zgjidhjen e krizës politike.

Mediu sqaroi se çfarë nënkupton në thelb platforma e propozuar.

“Platforma një diskutim të përbashkët me aktorët kryesorë, me Presidentin e Republikës, me partitë politike të pozitës dhe të opozitës për zgjidhjen e krizës aktuale dhe njëkohësisht për të gjetur zgjidhje në interes afatgjatë për vendin. Një Republikë Parlamentare ku Parlamenti është institucioni më i rëndësishëm. Të arrijmë të gjejmë një zgjidhje duke u dhënë mundësi shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është qëndrimi ynë, sa do e vlerësoi presidenti, kjo mbetet për t’u parë. Ne jemi të hapur për të diskutuar me të gjitha forcat politike edhe për ide të tjera”.

Shtyrja e zgjedhjeve

“Shtyrja e zgjedhjeve është e domosdoshme sepse nuk po shkojmë në një proces zgjedhor normal. E para, raporti i OSBE-ODIHR ka deklaruar blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve. Për fat të keq, nuk kemi asgjë investigim të krimit për blerjen e votave. DASH e ka ngritur me shqetësim këtë problem, duke thënë se kjo vjen edhe për shkak të korrupsionit qeveritar. Po shkojmë drejt konfliktit. Mundësisht të kemi një afat zgjedhor që do të garantonte zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme me një qeveri tranzitore. Në 2007, Rama ka pasur një kërkesë absurde. Zgjedhjet nuk janë një akt formal”.

Qeveri tranzitore, 6 muaj para zgjedhjeve

“Ideja është që shqiptarët të krijojnë besim te procesi zgjedhor. Procesi nuk është vetëm i partive politike, por edhe i qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre ndërmjet asaj që ata besojnë. Një qeverisje tranzitore do të ishte e domosdoshme. Ne kemi kërkuar një qeveri tranzitore, 6 muaj para zgjedhjeve në një periudhë 15 vjeçare. Nuk mendoj se në këtë vend kanë mbaruar njerëzit e mirë. Duhen kritere të sakta dhe detyra të sakta të kësaj qeverie. Ka intelektualë, njerëz të rinj, qeverisja është shumë më tepër se njerëzit që shohim sot në politik. Unë mendoj se qeveria kujdestarë të mos ishte me figura politike”.

President i zgjedhur nga populli dhe Parlament me dy dhoma

“Presidenti i zgjedhur nga populli është besoj i rëndësishëm sepse autoriteti i Presidentit të Republikës nuk është aspak për ta neglizhuar, por as nuk mund të jetë një autoritet për një Pazar politik apo për interes politik të momentit. Mendoj se ka ardhur koha që ne të kemi një autoritet që të jetë mbi politikën për të garantuar autoritet për të ruajtur këto institucione. Ne kemi propozuar edhe kufizim të mandateve për një rigjenerim të politikës. Ideja e Senatit… ne kemi një krizë kushtetuese sepse pushteti Gjyqësor është jashtë funksionit. Opozita mori këtë qëndrim ishte sepse nuk kishte asnjë qëndrim për të vepruar. Në mënyrën se si është larguar Gjykata Kushtetuese mund të kemi rikthim të krizës. Unë mendoj se Senati ka një pjesë të madhe intelektuale të këtij vendi”.

Takimi me Presidentin Meta

“Ne i kërkojmë Presidentit që në autoritetin e tij kushtetues të thërrasë këtë tryezë. Shqipëri ka pasur histori të tillë dhe nuk kemi pse të mos i konsiderojmë. Nuk është çështja vetëm për krizën, por kjo tryezë duhet të shërbejë si një lloj platforme për të para se çfarë duhet të bëjmë ne për të pasur një shtet funksional në të ardhmen.

Qëndrimi i Bashës në këtë moment

“Ne jemi 100 përqind me marrëveshjen e nënshkruar me PD. I qendrojmë atyre pikave në marrëveshje. Unë mendoj se kur jemi në një grupim vlera është kur ka një mozaik idesh. Unë e di se Basha do të dalë me një platformë të qartë edhe në emër të PD edhe të të gjithë opozitës, ku unë shpresoj që ndonjë nga këto ide të jetë e vlefshme”.

Shkarkoni aplikacionin e A2